Zbulo të panjohurën

Vaksinimi anti-COVID nis nesër në Prishtinë, ditëve në vijim edhe në komunat e tjera

Kosova mbrëmë është furnizuar me kontingjentin e parë prej 24 mijë vaksinave “AstraZeneca” nga koalicioni ndërkombëtar COVAX.

Ndërkaq, procesi i vaksinimit pritet të nisë nesër dhe prioritet do të jetë personeli mjekësor në Klinikën Infektive dhe më pas edhe personat mbi moshën 80-vjeçare me sëmundje kronike, raporton Zeri.info.

Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një takim virtual që ka mbajtur me kryetarët e komunave të Kosovës në lidhje me koordinimin dhe procesin e fillimit të vaksinimit.

Vitia në këtë takim i njoftoi kryetarët e komunave se me arritjen e kontingjentit të parë të vaksinave të parët që do të fillojnë të vaksinohen do të jenë personeli shëndetësor, të cilët janë në vijë të parë të frontit dhe personat mbi moshën 80-vjeçare me sëmundje kronike më të mëdha.

Ai po ashtu ka njoftuar kryetarët që procesi i vaksinimit do të fillojë nesër në Klinikën Infektive dhe në sallën “1 Tetori”, kurse në komuna të enjten ose të premten e kësaj jave.https://zeri.info/inarticle.html

“Ministri Vitia në këtë takim kërkoi që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi, po ashtu tregoi që është duke u bërë një vlerësim i përgjigjëm i situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashkë me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me komunat”, thuhet në një komunikatë nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetarët e komunave në këtë takim janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë bashkëpunimin dhe koordinimin sa më të mirë me Ministrinë e Shëndetësisë rreth procesit të fillimit të vaksinimit, por dhe sfidave të tjera, me të cilat janë duke u ballafaquar komunat.

“Në këtë takim kryetarët e komunave kanë adresuar disa probleme, me të cilat janë duke u ballafaquar në komuna e që janë: mungesa e stafit shëndetësor, problemet me furnizim me barna nga listat esenciale, si dhe probleme të natyrave të ngjashme, të cilat i kërkuan nga ministri që të adresohen sa më parë nga ana e Ministrisë”, thuhet në njoftim.

Në fund të këtij takimi iu kërkua ministrit Vitia që të shqyrtohet kërkesa e bërë nga komunat për një sasi të testeve rapide prej 100.000 sosh.