Zbulo të panjohurën

Varroset edhe anëtari i pestë i Familjes Basha

Pesë anëtarë të familjes Basha në Koretin të Kamenicës kanë ndërruar jetë si shkak i virusit korona.

Pasdite erdhi trupi i pajetë i anëtarit të pestë të familjes Basha.

Avdush Basha, ndërroi jetë një ditë më parë në Klinikën Infektive, pasi që i njëjti ishte infektuar nga Covid 19.

Ceremonia e varrimit u shoqërua me dhimbje, edhe për faktin se 48 vjeçari po varrosej pranë nënës, vëllait e dy motrave të tij.

 

Edhe ata kanë vdekur ditë më parë si pasojë e virusit korona.

Familjarët tjerë të  kësaj familje mes lotësh e dhimbjesh kujtojnë pesë jetët të cilat u morën nga virusi Covid-19

Mehmet Morina, imam i fshatit Koretin e njëkohësisht mik i Avdushit thotë se gjendja e të ndjerit u përkeqësua pasi që spitali i Gjilanit e kishte kthyer në shtëpi.

Dhjetëra njerëz u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Avdushit.

Por gjatë tërë ceremonisë u respektua distanca. Për këtë po kujdesej edhe Policia e Kosovës.

Humbjen e 5 anëtarëve të kësaj familje, e cilësoi si humbje të madhe për fshatin edhe kryetari i këshillit lokal, Sejdi Kurteshi.

Ndërkohë që të gjithë shprehën se do të qëndrojnë afër familjes Basha në çdo rast nevoje.

Prezent në varrimin e Avdush Bashës ishte edhe kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati.

Ai duke shprehur ngushëllime për familjen Basha ftoi të gjithë qytetarët të marrin seriozisht virusin Covid-19.

I ndjeri Avdush Basha ishte vetëm 48 vjeç, e në Kamenicë para disa kohësh kishte vdekur edhe një 27 vjeçar nga virusi korona.