Zbulo të panjohurën

Vazhdojnë gërmimet në Kizhevak, Makolli tregon detaje të reja

Edhe gjatë kësaj jave do të vazhdohet me gërmimet në Kizhevak të Serbisë, ku mendohet se ka mbetjeve mortore të shqiptarëve të vrarë nga serbet gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për këto gërmime, Kryetari i Delegacionit të Kosovës për të Pagjeturit, Ibrahim Makolli u shpreh për Euronews Albania se në sipërfaqe kanë dalë mbetje mortore.

Sipas tij është ende herët të flitet për numrin e viktimave dhe zonën nga e cila janë.

“Tashmë kemi hyrë në javën e dytë të ekzaminimit të plotë të terrenit në lokacionin e Kizhevakut, që është trajtuar që nga viti 2015 dhe përfundimisht në mbështetje të imazheve të krijuar nga departamenti amerikan dhe përmes komitetit ndërkombëtar të Kryqit Kuq, më 16 nëntor të këtij viti nisëm ta lokalizojmë më saktësi lokacionin ku gjenden trupa të shqiptarëve të masakruar.

Kizhevak shënon lokacionin e pestë, varrezën e pestë masive të gjendur në Serbi dhe diku ka 1 mijë trupa të gjendur brenda territorit të Serbisë. Jemi në javën e dytë të ekzaminimit të terrenit ku po marrin pjesë ekspertë mjeko-ligjorë nga Kosova, në varësi të kushteve atmosferike ketë jave do të vendoset nëse mund të vazhdohet apo veprohet në një kohë kur të kemi përmirësim të këtyre kushteve.

Në sipërfaqe kanë dalë mbetje mortore, përderisa nuk ka trajtim mjekësor të mjeteve mortore, nuk mund të flasim për numrin e të vrarëve, sikurse as lokacionin se prej cilës pjesë të territorit të Kosovës janë”, u shpreh ai.

Makolli tregoi detaje për këtë varrezë, pasi tha se dyshohet se mund të jenë 17 trupa të shqiptarëve.

“Kjo varrezë ka një ndërlidhje me varrezën e zbuluar në vitin 2014, vetëm pak kilometra larg kësaj pike, ku janë gjetur trupat e 54 shqiptarëve nga zona e Drenicës. Numri mund të jetë deri në 17 persona, por derisa të bëhet ekzaminimi mjeko-ligjor nuk mund të bëhet një ekzaminim i saktë”, u shpreh ai.