Zbulo të panjohurën

Vendos Qeveria: Nuk ka mbyllje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nuk ka ndryshime të masave anti-COVID, por do të mbesin në fuqi masat aktuale.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se ky vendim u mor nga takimi i përbashkët i ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorit të IKSHPK-së Naser Ramadani dhe drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Tutje ai bën thirrje tek qytetarët që të respektojnë masat anti-COVID, ndërsa nga institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.
Ndryshe në 24 orët e fundit, tetë persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit me coronavirus, teksa janë konfirmuar edhe 632 raste të reja pozitive, shifër kjo më e larta për vitin 2021.
Po ashtu në raportin ditor të IKSHPK-së bëhet e ditur se janë shëruar edhe 397 pacientë që ishin të infektuar me virusin SARS CoV-2.