Zbulo të panjohurën

Vrasja e rëndë në Pozheran: Burri vrau gruan me 8 plumba dhe ia hodhi vetes trutë në erë

Një vrasje e katërfishtë ka ndodhur në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, rreth një javë më parë, ku një burrë ka vrarë gruan dhe dy djemtë e tij, pastaj veten. Arsyeja që çoi deri tek vrasja është një konflikt që kishin pasur çifti bashkëshortor në Zvicër, ku ata kishin jetuar. Po ashtu, çifti kishin hapur edhe proces të divorcit.


Por, si ndodhi e gjithë ngjarja?

Burime të sigurta të Gazetës Express brenda Prokurorisë në Gjilan bëjnë të ditur se së pari burri vrau gruan e tij, ku me një plumb e rrëzoi në tokë. Të njëjtat burime thonë se pas rrëzimit në tokë, e goditi edhe 7 herë të tjera, ku predhat e armës mbetën në dyshemenë e dhomës, aty edhe ku ndodhi e gjithë kjo ngjarje tronditëse.

Ndërsa, fëmijët u vranë me nga një plumb tek dera e dhomës ku u vra nëna e tyre, tha ky burim.

Shtëpia ishte e mobilizuar me kamera sigurie, ku nga shkallët është parë se si burri në fund doli jashtë dhe vrau edhe veten. Ky burim thotë se nga pamjet shihet se si burrit ju hodhën trutë në erë, për shkak që ai goditi veten me plumb në fyt.

Mediat zvicerane kanë raportuar se familja ka qenë e ndarë, pra nëna ka jetuar bashkë me djemtë, ndërsa babai i tyre ka jetuar në nje tjetër lagje pasi që ata ishin në proces të divorcit. Arsyeja e divorcit, sipas këtyre raportimeve, ishte dhuna fizike që babai kishte ushtruar mbi nënën.

Në raportimin e tyre thuhet se familja kishte punuar shumë gjatë për të ndërtuar disa shtëpi në Kosovë, e kësisoj pas ndarjes me vëllezërit, asnjëra shtëpi nuk u kishte “rënë hise” familjes, ku edhe kishte nisur mospajtimi.

Varrimi i katër anëtarëve të familjes Zuka u bë më 1 janar 2021 në varrezat e qytezës në Pozheran.

Kujtojmë se ky vit ishte i mbushur me ngjarje të rënda, si kjo e fundit që mbylli vitin 2020. Javë më parë, djali vrau babanë e tij në Prizren, ndërsa para disa muajsh, një police dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes së saj, pastaj edhe veten.

Edhe Fushë Kosova ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një familjeje, ku një 40-vjeçar atje ia kishte prerë kokën me sëpatë babait të tij 72-vjeçar.