Zbulo të panjohurën

Vrasja e të riut që u dëshmua me video: Prokurori i rastit shihen në kafiteri me avokatin e dorasit Besnik Berisha

Disa orë pas publikimit të pamjeve të vrasjes të të riut nga Deçani, Agonis Tetajt, Reporteri.net ka siguaruar një fotografi në të cilën shihet avokati i familjes Gogaj, Besnik Berisha dhe prokurori i rastit Agron Uka, duke qëndruar në një kafiteri.

Prokurori Uka ka konfirmuar se ky takim ka ndodhur mirëpo, sipas tij, takimi ka ndodhur tri vite më parë.

“Në Bibël e Kuran të betohem që kemi qenë vetëm unë e Jetishi. Ky ka ardhë na ka përshëndetë, erdh prej një gjykimi edhe ka thënë: A bën një kafe vetëm për qejf… Kjo para tri viteve, shumë i sigurt jam. Ka ndejtë vetëm 5 minuta, por s’ka lidhje me rast”, tha prokurori.

Tutje, prokurori tha se me avokatin Berisha është në konflikt.

“Unë me avokatin jam në konflikt, bile-bile thash ja unë ja ky me leshu punën”, shtoi ai. Dje prokurori Agron Uka ka rikualifikuar veprën penale nga “vrasje e rëndë“ në “vrasje nga pakujdesia”.

Dhe sot familja ka publikar videon me akuzat se ka pasur shtrembërim të së vërtetës.

Në lidhje me fotografinë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin Besnik Berisha, i cili mbron Shaban Gogajn, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

I pyetur se a ka pasur rast të takojë prokurorin Agron Uka jashtë gjykatës apo prokurorisë, avokati Berisha ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“As kafe, as takim, as kurrë me ato punë e çështje nuk jam marrë”, tha Berisha.Pasi u informua për fotografinë, ai e mohoi duke thënë se ka shanca të jetë montuar por është i gatshëm të përballet me gjithçka.

“Unë kam kontaktuar me prokurorin mbi 20 herë në sallë të gjykimit e përtej atyre vetëm kush don me kriju e trillu”, tha Berisha.

Rreth zhvillimeve të sotme, avokati Berisha ka reaguar në profilin e tij në Facebook.

Avokati i të akuzuarit në rastin e vrasjes së Agonis Tetaj, Besnik Berisha, ka thënë se vrasja e Agonis Tetaj ishte aksidentale dhe se kjo mund të provohet lehtë.