Zbulo të panjohurën

Vrau dy vëllezërit Berisha në Kosuriq të Pejës, dënohet me 23 vjet burgim i akuzuari

Shpallet fajtor dhe dënohet me 23 vite burgim, Binak Panxha i akuzuar për vrasje të rëndë, ndaj vëllezërve Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha, më 21 korrik të vitit 2017, në pyllin e fshatit Kosuriq të Pejës.

Aktgjykimi është shpallur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, në dënimin e të akuzuarit llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Gjithashtu gjykata të akuzuarit pas shpalljes së aktgjykimit ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak dhe ia caktoi masën e  paraburgimit, ku i pandehuri do të qëndroi në paraburgim, por jo më shumë sesa dënimi i shqiptuar me aktgjykim.

I akuzuari Panxha është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve procedurale në shumë prej 100 euro, paushallin gjyqësor në shumë prej 100 euro dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në shumë prej 50 euro.

Kurse pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës juridiko- pasurore është udhëzuar në kontest civil, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Binak Panxha akuzohet se më 21 korrik 2017, rreth orës 21:30, në pyllin e fshatit Kosuriq, ka privuar nga jeta tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz Berisha dhe Arsim Berisha.

Në aktakuzë përshkruhet se deri te momenti kritik ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve për shkak të prerjes së pyllit, pronë e familjes së të pandehurit.

Siç thuhet në aktakuzë, në orën 21:00 të natës kritike, tani të ndjerët, vëllezërit Ramiz dhe Arsim Berisha, së bashku me dëshmitarin Jetlir Gashi, ishin nisur me dy qerre me kuaj për të prerë drurë në pyllin e të pandehurit.

“I lënë qerret me kuaj buzë rrugës dhe dëshmitari Jetlir së bashku me Ramizin hynë në pyll dhe pasi nuk vërejnë asgjë, Ramizi i thotë Jetlirit shko merre kalin me qerre se bashku me Arsimin dhe të fillojmë me pre dru”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Gashi, ishte nisur për ta thirr tani të ndjerin, kishte dëgjuar atë duke biseduar me dikë.

Në atë moment, sipas aktakuzës, i pandehuri Binak Panxha me armë automatike shkrep tre fishekë dhe Arsim Berisha niset në drejtim të vëllait të tij Ramiz Berisha dhe përsëri i akuzuari gjuan pandërprerë në drejtim të tyre, duke i privuar nga jeta tani të ndjerët dhe pastaj trupat e tyre i largon nga pylli, duke i tërhequr përafërsisht 61 metra nga vendi i ngjarjes.