Zbulo të panjohurën

“VV 127” — Shkruhen muret e dy xhamive në Prizren, reagojnë imamët

Dy xhami në muret e tyre janë përdorur për të bërë thirrje që të votohet Vetëvendosja. Në muret e ketyrë dy xhamive që gjenden në komunën e Prizrenit janë shkruar mbishkrime “VV 127”.

Njëra xhami ku në muret e saj është shkruar mbishkrimi i sipërm gjendet në fshatin Hoçë e Qytetit, ndërsa tjetra xhami gjendet në fshatin Hatmaxhë të së njëjtës komunë.

Lidhur me këtë çështje kanë pasur reagime nga imami i xhamisë Hasan Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se xhamitë nuk janë objekte për të tilla mbishkrime.

“Xhamitë janë vend ku adhurohet Zoti, e jo për t’u shënuar në muret e tyre logo të partive politike”, ka thënë imam Krasniqi.

Tjetër reagim ka ardhur nga xhamia e fshatit Hoçë e Qytetit.

“Këto veprime nuk na takojnë neve si shoqëri, xhamitë janë bërë për adhurimin e Zotit një, e jo për shkrime të sloganeve partiake. Ky veprim i pamend nga kushdo që e ka bërë do t’i kushtojë buxhetit të xhamisë”, thuhet në reagimin e xhamisë.