Sipas partisë së Kurtit, Etem Arifi, s’kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar, meqë ishte dënuar nga Gjykata me vendim të prerë, shkruan Reporteri.net

Në kërkesën e Vetëvendosjes thuhej se: “Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si kandidat për deputet, në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili parasheh që një person është i aftë të kandidojë për deputet, përveç nëse është shpallur fajtor për një vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vitet e fundit”.

Pra, në këtë kërkesë VV-ja pretendonte se vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për votën e Etem Arifit, Gjykata Kushtetuese kishte mbajtur një seancë dëgjimore publike, ku kishte marrë pikëpamjet e të gjitha palëve lidhur me votën e deputetit Arifi.

Më 21 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese doli me aktgjykimin përfundimtar, i cili rrëzoi qeverinë e Hotit.

Në disa nga arsyetimet e vendimit të Kushtetueses konstatohej se deputetit Arifi ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë dhe për këtë arsye ai nuk mund të ishte kandidat për deputet dhe as të fitonte një mandat.