Zbulo të panjohurën

Zemaj: Ka vështirësi në furnizimin me vaksina, po presim

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se po vazhdon angazhimin e tij për sigurimin e vaksinës anti-COVID

Gjatë mbledhjes së komitetit për vlerësimin e situatës me pandeminë, Zemaj ka thënë se ka vështirësi në furnizimin e vaksinave, raporton Zeri.info.

“Angazhimi për marrjen e vaksinës është angazhim ditor, nacional dhe jo vetëm i imi si Ministër i shëndetësisë por edhe partnerëve ndërkombëtar. Është evidente që ka vështirësi në furnizimin me vaksina, ne përpos insistimit për blerje direket, mbi të gjitha premtimet që kemi pasur me prodhuesit akoma është duke vazhduar komunikimi, sidomos me ata që kanë pasur deklarata për muajin shkurt”, ka deklaruar Zemaj.

Ai tha se aleanca COVAX, e cila pritet ta furnizojë Kosovën me vaksinat e para ant-COVID, ka konfirmuar se sasia për vendin tonë do të jetë në prodhim gjatë muajit mars, ndërsa nuk dha ndonjë datë se kur mund të vjen kontigjenti i parë i tyre.

“Pjesa që ndërlidhet me aleancën COVAX, konfirmimin e kemi marrë që sasia për Kosovën do të jetë në prodhim gjatë marsit, jemi në pritje është komunikim ditor edhe përmes UNICEF-it dhe mekanizmave tjerë. Përgatitjet i ka Kosova, komuniteti i imunizimit, MSH-ja, dhe IKSHPK-ja e kemi realizuar planin dhe gjithçka është konform standardeve dhe rregullave për vaksinim”, tha ai.