Zbulo të panjohurën

Zëvendëskryeministri Tahiri iu shprehë falënderim Policisë së Kosovës për punën në pandemi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, është shprehur falënderues për punën që po e bëjnë Policia e Kosovës.

Tahiri, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, e ka potencuar angazhimin e forcave të rendit në kohë pandemie, duke shprehur respekt për ta.

“Pas intervistës në edicionin e lajmeve në RTK, u ndala të shpreh falënderimin tim dhe të Qeverisë për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm që po bën Policia e Kosovës në këtë kohë të rëndë pandemie. Respekt dhe nder të jem në mesin e tyre sonte!”, ka deklaruar ai, duke bashkëngjitur një fotografi të realizuar me anëtarë të PK’së.

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi të premten në ora 18:00.

Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obliliqit.

Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme.

Gjatë kësaj periudhe ndalohet edhe veprimtaria e gastronomisë. Ndërkaq transporti publik lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve, duke respektuar Manualin për mbrojtje nga COVID-19. Taksitë do të lejohen të punojnë vetëm me një pasagjer prapa ose tre, nëse janë anëtarë të familjes.